Gazetari i sportit, Edi Hajdini e konsideron si të çuditshëm shkarkimin e trajnerit Gugash Maganit nga drejtimi i skuadrës së Egnatias. Në emisionin “SportZone” në MCN TV, Hajdini theksoi se rezultatet kanë folur në favor të trajnerit dhe largimi i tij nuk lë një shije të mirë. Gjithashtu ai tha, se me trajnerët shqiptarë ka qenë e njëjta histori, pasi i kanë përdorur presidentët sipas qejfit.
“Me trajnerët shqiptarë kjo histori ka qenë gjithmonë. Presidentët i përdorin si duan. Nuk e kuptoj se çfarë kanë pasur në mendje te Egnatia, që shkarkuan Maganin, pasi të gjithë janë në një mendje, që ai i kishte marrë më të mirën skuadrës. Ky largim është i çuditshëm në një moment të tillë dhe nuk lë një shije të mirë.
Unë nuk gjej asnjë arsye pse duhej shkarkuar në këtë moment. Rezultatet kanë folur në favor të Maganit, i cili ka bërë shumë mirë me Egnatian. Rrogozhinasit janë brenda objektivave, pavarësisht se është pak poshtë. Te Egnatia shumica janë lojtarë të rinj dhe duan kohën e tyre, megjithatë loja e rrogozhinasve ka qenë shumë e mirë, ka pasur ide. Me lojën e treguar, ishte një skuadër e denjë për Superioren.”
Hajdini foli edhe për ndeshjen Dinamo-Kastrioti, ku tha se krutanët për lojën që bënë meritonin të paktën barazimin, ndërsa për kryeqytetasit shtoi se me skuadrën që kanë, nuk janë për titull.
“Shkëmbi thotë se lojtarët e tij nuk janë mësuar për titull, ndërkohë që objektivat i kanë për titull. Më vjen keq për Kastriotin, pasi kishte shumë raste dhe meritoi barazimin. Nuk mendoj se Dinamo është një skuadër që do të synojë titullin. Kanë shumë probleme në mbrojtje. Drejtuesit dhe Shkëmbi kanë kërkuar lojtarë në janar. Është histori e përsëritur, pas janarit do të thonë se është e vështirë të gjesh lojtarë në merkaton e dimrit.”, u shpreh Hajdini.



