
Pas goditjes së bujshme që bën në këtë merkato vere duke afruar një nga lojtarët më të mirë në Botë, Kristiano Ronaldon, drejtuesit bardhezinj janë duke planifikuar një tjetër goditje të bushjme për t’u afirmuar si klub në nivel botëror.
Në një intervistë të dhënë për mediat italiane presidenti i klubit të Juventusit, Andrea Agnelli deklaroi se klubi i tij duhet të jetë në gjendje të marrë një tjetër Cristiano, por në moshën 25 vjeçare.
Lojtari që ka më shumë gjasa për tu bërë pjesë e “Zonjës së Vjetër” pritet të jetë mesfushori serb Sergej Milinkovic-Savic.
Talenti i skuadrës së Lazios është një nga futbollistët që po shkëlqen në Serinë A dhe kjo ka bërë që drejtuesit e Juventusit të hedhin sytë nga ai. Megjithatë, për Milinkovic Savic ka oferta dhe nga shumë klube të njohur europiane.
Por, ekipi torinez nuk po kërkon vetëm në Serinë A pasi ka hedhur sytë dhe në kampionate të tjera ku në Spanjë, emrat që pëlqehen janë ata të skuadrave madrilene, Marco Asensio e Saul Niguez. Në Premier League opsionet e mundshme janë Gabriel Jesus, Dele Alli, Leroy Sané apo Marcus Rashford.
Gjithsesi, ëndrra sekrete e Agnellit flitet se është Kylian Mbappé, por rruga që të çon tek talenti francez duket më e pamundura.



