
Vllaznia nuk po kalon një moment të mirë, sidomos pas asaj humbje me Kastriotin në kampionat, që ka sjellë edhe kritika të shumta nga tifozët.
Trajneri Mirel Josa, duke folur para ndeshjes me Partizanin në çerekfinalen e Kupës, u shpreh se Vllaznia ka kaluar edhe momente më të vështira se këto aktualet, por shtoi se ka besim te skuadra se do ia dalë edhe këtë herë.
Mos harroni se kemi pasur edhe momente më të vështira se ky i krijuar pas humbjes me Kastriotin dhe këtu dua të përmend vetëm njërin, atë që u krijua pas kualifikimit me shumë vështirësi pas 120 minutash lojë në ndeshje me Flamurtarin.
Gjetëm forca duke u rikthyer aty ku duhej dhe besoj se kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Unë e kuptoj gjendjen e disa lojtarëve dhe nuk është më e mira, plus që kemi ende probleme shëndetësore me dëmtimet apo dhe formën jo të duhur të disa prej tyre. Mos harroni jemi në garë në të dyja frontet, si në Kupë ashtu edhe në kampionat.
Nuk kam pse ti marr për keq kritikat e tifozëve, përkundrazi ata janë që na motivojnë dhe besojnë në punën time për t’i shërbyer siç duhet këtij qyteti.
Të mos harrojmë se ne të gjithë këtu nuk jemi për t’i shërbyer vetës tonë, por skuadrës dhe kur ajo ka rezultate sigurisht që jemi të gjithë të kënaqur. Ndaj Partizanit ditën e nesërme do të bëjmë më të mirën, pasi kërkojmë të shkojmë deri në fund.



