
Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, foli në emisionin “Skaner” në MCN TV, pas situatës aspak të mirë të Kombëtares kuqezi, që së fundmi u mposht nga Izraeli dhe humbi mundësinë për të marrë vendin e parë në grup.
De Biasi, tha se skema nuk të bën të fitosh ndeshjen, ndërsa shtoi se nuk mund të sulmohet kështu trajneri pas një rezultati negativ.
I pyetur për ndryshimin mes Shqipërisë aktuale dhe asaj që ka drejtuar ai, tekniku italian deklaroi se Kombëtarja e tij, kishte më shumë lojtarë me eksperiencë.
Skema nuk të bën të fitosh, por interpretimi. Unë me Azerbajxhanin e kam nisur 3-4-3 e më pas 4-2-3-1.
Skuadra mund të fitonte, nëse do përpiqej pak më shumë. Nuk më pëlqeu fare rezultati. Nuk më pëlqeu as fillimi i pjesës së parë, pak më mirë në të dytën.
Çuditem nga komportimi mediatik. Shumë lojtarë ishin të dëmtuar. Çështje taktike ka pafund. Çështja e kualifikimit sigurisht është tjetër histori, por trajneri nuk mund të sulmohet në këtë mënyrë.
Ekipi i sotëm nga ai i imi? Gjithmonë e njëjta pyetje. Kombëtarja ime kishte lojtarë me eksperiencë. E sotmja ka lojtarë që luajnë në ligat më të forta, në Spanjë, Itali, Angli. Luajnë me top klube dhe janë të rinj ka shumë cilësi dhe do kohë të vijë aty ku duhet.
Nga jashtë nuk mund të jap shpjegim për atë që i mungon ekipit të sotëm. Ndoshta nuk ka arritur të përshtatet grupi por trajneri ka drejtuar ekipe elitare dhe e ka përvojën për t’u përballur me këto çështje.



