
Tiger Woods, 15 herë kampion, do t’i jepet çmimi më i lartë, me të cilin nderohen civilët në Amerikë. Çmimi do t’i jepet nga presidenti Donald Trump në Uashington javën e ardhshme.
43-vjeçari, i cili fitoi “Masters at Augusta” në prill do ta marrë Medaljen Presidenciale të Lirisë në një ceremoninë të organizuar në Shtëpinë e Bardhë, të hënë më 6 maj.
Woods-i kapërceu probleme të shumta nga dëmtimet (4 operacione në kurriz dhe një operacion tjetër pas tyre) dhe arriti të fitojë titullin kampion, sërish pas 11 vjetësh.
Trump-i e dha lajmin në Twitter që muajin e shkuar se Woods-i do të merrte çmimin për përformancën e tij në Masters.
Medalja Presidenciale e Lirisë, e paraqitur në vitin 1963 nga presidenti i atëhershëm John F Kennedy, u jepet "individëve që kanë dhënë kontribut të veçantë për sigurinë apo interesat kombëtare të Amerikës, paqen në botë, ose për përpjekje të tjera domethënëse publike a private”.
Woods-i është golfisti i katërt që nderohet me këtë çmim pas Jack Nicklaus, Arnold Palmer dhe Charlie Sifford lojtari i parë me ngjyrë që mori pjesë në PGA Tour.
Billie Jean King dhe Michael Jordan janë sportistë të tjerë që janë nderuar me këtë çmim. /Sipas BBC, përgatiti Erina Çoku/



