
Trajneri Orges Shehi, në emisionin “Skaner” në MCN TV, deklaroi se lojtarët e Tiranës, i dhanë një shtysë të madhe, për të rinovuar kontratën.
Tekniku bardheblu sqaroi edhe arsyen, pse nuk vendosi medaljen, pas humbjes në finalen e Kupës ndaj Egnatias.
Në fund të Tirana-Egnatia, mund të keni parë nj fytyrë të mërzitur. Nuk doja të vendosja në qafë medaljen e vendit të dytë, sepse i dyti, është humbësi i parë. Thjesht nuk kam dashur medaljen e vendit të dytë, e kam bërë gjithmonë këtë. Kam mërzi, sepse i shkova afër dy trofeve dhe nuk mora asnjërin.
Kam një lidhje të veçantë me lojtarët. Edhe ata kanë luajtur një pjesë shumë të rëndësishme për rinovimin. Mu shfaq një video në monitor, ku të gjithë lojtarët kërkonin që unë të qëndroja. Ishte një video emocionuese, që më dha shtysë për marrjen e vendimit për rinovim.
Ndihem shumë i lumtur që në këto dy vite, kam arritur të kem këtë impakt të mirë te tifozët. I falënderoj dhe i them se do bëjmë të pamundurën që ata të jenë të kënaqur.
Europa me kampionatin, janë të bashkëngjitura. Duhet të plotësojmë grupin dhe pastaj të futemi me idenë që kemi pasur këto dy vite. Kemi disa lojtarë që kanë oferta. Pas Europës do jemi më të plotë. Europa është shumë shpejt, ka kohë për kampionatin.
Shehi zbuloi se klubi është në bisedime me Aleksin dhe Hilën, për të rinovuar kontratën, ndërsa shtoi se Kupën e Shqipërisë, donte ta fitonte për lojtarët e tij, të cilët kanë sakrifikuar shumë.
Aleksin e kam dashur shumë te Tirana. Dua që ai të jetë pjesë e skuadrës, siç e do edhe ai. Është në bisedime se bashku me Hilën, të cilët klubi do t’i mbajë.
E donim trofeun e Kupës, jo se Tiranës i mungojnë trofetë, por e doja për situatën që është krijuar. E donim për sakrificën e skuadrës, që luajtën 100 minuta me 1 lojtar më pak. Doja ta fitoja për lojtarët më shumë. Do ishte një përballje e mirë me Partizanin në Superkupë, por nuk u realizua.



