Kombëtarja Shqiptare ka nisur përgatitjet në fushë, në kuadër të përgatitjeve për katër sfidat e ardhshme të UEFA Nations League.
Gazetari sportiv, Gert Çarçani, i ftuar në studion e MCN, teksa analizoi nisjen e fushatës tha se me kundërshtarët që ka Shqipëria përballë në grup, pozicionimi në krye të renditjes është një detyrim i padiskutueshëm.
Duhet të dalim në vend të parë. Nëse nuk e arrijmë dot vendin e parë në grup dhe nëse ky trajner nuk na çon në vendin e parë, atëherë ai është një përzgjedhje e gabuar. Futbolli fitohet në fushë. Kemi pasur kundërshtarë të vështirë, ndërsa tani kemi kundërshtarë të gëlltitshëm, ndaj vendi i parë është i panegociueshëm.
Duhet të bëjë ndryshime si në lojë, ashtu edhe në emra, sepse përveç fizionomisë së lojës, ai kërkon të marrë edhe rezultat. Trajneri do t'u japë minuta lojtarëve për të cilët ka pasur polemika të mëdha, duke i dhënë më shumë hapësirë fazës ofensive.
Çarçani sugjeroi që pjesë e strategjisë së re duhet të jetë patjetër edhe afrimi i lojtarëve nga kampionati vendas, ku sipas tij ka lojtarë që po performojnë shumë mirë.
Ai sapo u emërua dhe kishte pak kohë në dispozicion, dy ndeshjet miqësore në Shqipëri, në "Air Albania", i humbi, por është ende herët për ta paragjykuar. Duhet të ketë pak më shumë besim te kampionati shqiptar. Ka futbollistë këtu që po performojnë shumë mirë, ndaj duhet t'u jepet pak më shumë besim edhe disa emrave të tjerë.



