
Analisti sportiv, Xhevdet Zekaj, foli në emisionin “SportZone” në MCN TV, për ecurinë e shkëlqyer të Egnatias këtë sezon, ku renditen të tretët në kampionat dhe luajnë në finalen e Kupës me Tiranës.
Sipas tij, rrogozhinasit kanë një skuadër shumë të mirë, ndoshta më të mirën e kampionatit shqiptar.
Egnatia është një skuadër shumë e mirë. Për mua është skuadra më e mirë në kampionat. I kam parë në stërvitje dhe kanë shumë talente. Kanë lojtarë shumë të mirë edhe në stol. Kam parë stërvitje shumë të vështira nga trajneri Tetova, të cilat i kaluan me perfeksion. Egnatia nuk ka arritur kot deri këtu. Janë të tretët në kampionat dhe kanë skuadër shumë të mirë.
Zekaj deklaroi se nuk do të ishte habi nëse Egnatia fiton Kupën e Shqipërisë, ndërsa shtoi se në rast se nuk do të ishte për gabimet e arbitrave në kampionat, tashmë do të ishin në kuotë të barabartë pikësh me kryesuesit.
Mos të habiten të gjithë, nëse Egnatia e fiton Kupën e Shqipërisë. Ka seriozitet në ekip për ndeshjen e radhës dhe nuk e kanë nënvlerësuar Kastriotin.
Njëherë Egnatia është persekutuar në gjashtë ndeshje radhazi. Nëse ato gabime nuk do të ishin, Egnatia sot do të ishte në kuotë të barabartë pikësh me Tiranën kryesuese.



