
Mbërritja e Thomas Tuchel në Londër ia ka ndryshuar tërësisht fytyrën Chelseat . Londinezët kanë avancuar ndjeshëm me gjermanin në stol duke treguar forcën e vërtetë si në Premier League ashtu edhe në Champions League. Kalimi në finalen e madhe që do ta zhvillojnë kundër Manchester City-t ka shënuar një pikë kthese për ‘’ Blutë e Londrës ‘’ sepse nëse do të shpallen fitues do ta ngrejnë për të dytën herë këtë trofe . Entuziasmi i kryeqytetasve ka prapa dorën e hekurt të ishit të Borussia Dortmundit që ka ditur të jetë efikas në ndërthurjen e skemave në varësi të kundërshtarit të cilat i kanë shkaktuar buzëqeshje të pafundme Chelseat gjatë këtij sezoni. Me merita të padiskutueshme 47 vjeçari i ka bindur drejtuesit anglezë për të përshkruar këtë rrugë të suksesshme edhe në të ardhmen .
Sipas ‘’ Daily Mail ‘’ Chelsea kërkon ta rikompensojë Thomas Tuchel me një kontratë dy vjeçare me opsionin e rinovimit edhe për një tjetër për ti ofruar mundësinë që ta rikthejë 6 herë kampionin e Premier Leagues në majën e Europës. Por nxënësit e Tuchel duhet të bëjnë shumë kujdes në finalen e Stambollit që do të luhet në 29 maj sepse bardhekaltërit kanë rigjeneruar forcat dhe ëndërrojnë ta ngrejnë këtë trofe që do të ishte i pari në historinë e tyre .
Fakti se drejtohen nga Pep Guardiola është një sinjal për Chelsean pavarësisht se finalet kanë gjithmonë një specifikë ndryshe , por një gjë është e sigurtë se do të jetë një duel tipik britanik me aksione të njëpasnjëshme dhe me një emocion të veçantë .



