Ashtu siç edhe pritej, Alain Giresse, është trajneri më i ri i Kosovës. Federata Kosovare e Futbollit, ka prezantuar ditën e sotme trajnerin francez.
Giresse karrierën si trajner e ka filluar te skuadra e Toulouse, për të vazhduar më pas te Paris Saint-Germain, Far Rabat, ndërsa më pas ka drejtuar kombëtare si Gjeorgjia, Gaboni, Mali, Senegali dhe Tunizia.
Në fjalët e para si trajner i Dardanëve, Giresse u shfaq shumë i lumtur, ndërsa shtoi se nuk hezitoi aspak për propozimin që iu bë.
“Sot, po zyrtarizohet detyra ime si përzgjedhës i Kosovës dhe jam i lumtur e shumë i nderuar. Unë jetoj në Toulouse dhe atje kam miq kosovar, ku e njoh edhe kryetarin. Para disa viteve isha mysafir në Kosovë, ku kryetari aktual nuk ishte në atë post por i ndjeri Fadil Vokrri, për të cilin dua ta bëj një homazh nga këtu për shkak se kam pasur lidhje shumë të forta me të. Në Francë, kur kam dëgjuar për vdekjen e tij, kam mbetur shumë i prekur. Për të vazhduar lidhjen time me Kosovën, kur isha në krye të Senegalit kemi luajtur një miqësore me Kosovën në Gjenevë.
Në atë kohë, Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA dhe në Senegal më kanë pyetur se kundër kujt do të luajmë dhe iu kam treguar se bëhet për një vend që e njoh shumë mirë. Kjo është lidhja ime dhe për këtë arsye me kënaqësi kam pranuar të jem këtu pasi kam njohuri për Kosovën. Unë jam pajtuar me kërkesat e kryetarit të FFK-së, pasi kam punuar më përpara me ekipe kombëtare dhe e di që çdo vend pret shumë prej ekipit të tij”, u shpreh Giresse.



