
U luajtën ditën e sotme, dy ndeshjet e para të Grupit B në Eliminatorët e Kampionatit Europian U-19 për femra, që po zhvillohen në Shqipëri. Kombëtarja shqiptare U-19 e ka filluar me këmbën e mbarë pasi mundi Letoninë me rezultatin 3-1 në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”. Një paraqitje shumë e mirë e vajzave kuqezi që dominuan gjithë kohës dhe morën tre pikë të merituara.
Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Rumania fitoi ndaj Armenisë me rezultatin e thellë 8-0.
Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 tetor. Tre ditë më vonë, vajzat kuqezi do të përballen me Rumaninë, po në ora 14:30 në stadiumin “Elbasan Arena”.
Sfida e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për vajza do të jetë kundër Armenisë, më 11 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30.
Ndërkaq, ndeshjet e tjera të grupit, të ekipeve mike do të zhvillohen në impiantin tjetër modern shqiptar, “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.



