Gazetari sportiv, Uvil Zajmi, ka folur në emisionin “Sport Zone” në MCN TV, në lidhje me aplikimin e VAR-it në Shqipëri. Sipas tij, ky është një hap i rëndësishëm, pasi i shërben drejtësisë sportive.
“Unë do të them se VAR-in në Shqipëri, e quaj një hap të rëndësishëm. Maqedonia dhe Mali i Zi nuk e kanë, vetëm ne dhe Kosova e kemi. E konsideroj një hap të rëndësishëm, i shërben drejtësisë sportive, kur kemi të bëjmë me gabime njerëzore.
Isha në Laç në ndeshjen e parë, emocionet ishin të jashtëzakonshme. Ishim live në një vendim VAR-i. Kur je aty është një emocion ndryshe. Ke të bësh me mjedisin. Unë kam ndjerë emocione të mëdha, kur e pashë të përdorej VAR.
Kërkon pak kohë që të krijohet një besim i plotë. Duhet të krijojmë një koncept të drejtë për VAR. Puna për arbitrin që është në VAR, është më e vështirë se për atë që është në fushë. Detyra e VAR-it është shumë e vështirë.
Gabimi i Jorgjit në Tirana-Skënderbeu? Kanë gabuar edhe arbitra më të mëdhenj. Arbitri që ka bërë VAR-in, Irrati ka gabuar gjithashtu. VAR-i është ndihmës për atë në fushë. Jorgji e mori vlerësimin për vendimin e gabuar që ka marrë.
Unë nuk jam plotësisht me VAR-in. Unë dua akoma më tepër emocion. Jam me klasiken, të vërshëllimi i arbitrit.
Unë them 90 minutat e VAR-it janë shumë intensive. Arbitrit në fushë i kërkohen kritere të tjera. Në një farë mënyrë arbitri i ndeshjes, do ishte mirë të mos jetë në VAR. Italia ka filluar të marrë arbitra që sapo tërhiqen, për të vendosur në VAR ose AVAR. Fusha është tjetër gjë. Rëndësi ka vendimmarrja e saktë.”
Gjithashtu Zajmi foli edhe për përdorimin e VAR në javën e parë, duke thënë se arbitrave kur gabojnë në fushë, iu ulen pikë, por shtoi më tej, se arbitrit në Laç, në sfidën mes kurbinasve dhe Vllaznisë, nuk iu ulën pikët, për shkak se vendimi ishte shumë i vështirë, madje edhe pas shikimit të tij në VAR.
“Në Laç është marrë një vendim shumë e vështirë edhe me VAR. Ne si komision vendosëm që të mos i bëjmë zbritje në pikë këtij arbitri. Vendimi ishte shumë i vështirë edhe me VAR, jo më në fushë. Për këtë arsye, vendimi i arbitrit ishte i pranuar dhe u vendos të mos i ulen pikë. Jorgji nuk mund të jetë i vlerësuar në vendimin teknik, sepse ishte shumë afër aksionit që akordoi penallti.
Mendoj se presidentët apo edhe të gjithë do të ndërgjegjësohen. Them se është i domosdoshëm. Duhet t’i bindemi kësaj. Nuk më erdhi mirë kur e pashë Teutën, pas akordimit të penalltisë.”, përfundoi Zajmi.



