Trajneri Edoardo Reja, do të ketë për herë të parë në urdhrat e tij, portierin Elhan Kastrati. Ky i fundit ishte një nga risitë, në listën e Kombëtares, për dy ndeshjet miqësore ndaj Spanjës dhe Gjeorgjisë.
Ai u shfaq i lumtur për grumbullimin, ndërsa tha se Shqipëria ka një grup shumë të mirë lojtarësh.
Jam shumë i lumtur që rikthehem këtu. Kam qenë edhe një herë kur ishte Panucci. Me trajnerin Reja është hera e parë dhe gjithmonë është krenari të përfaqësosh kombëtaren. Kështu që jam mëse i lumtur.
Italia është një shkollë e mirë për portierët. Jam rritur atje që i vogël. Punojnë pak më ndryshe se gjithë vendet e tjera, ndaj ka edhe portierë me më shumë kualitet.
Shqipëria në këto momente ka një grup me kualitet. Nuk ka nevojë ta them unë, e thonë edhe rezultatet. Grupi është me të vërtetë shumë i mirë dhe mund të arrijmë diçka shumë të madhe, sa i përket kualifikueseve. Grupi është shumë i mirë.
Objektivi varet edhe nga kundërshtari. Me Spanjën rezultati është pak më i vështirë për t’u arritur, por megjithatë do të japim maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Pastaj sa i përket një kundërshtari si Gjeorgjia, edhe rezultati është shumë i rëndësishëm. Për Shqipërinë kur ndeshet me skuadra mesatare le të themi, nuk janë miqësore, por ndeshje ku duhet të marrim maksimumin.
Kastrati foli edhe për ecurinë e tij në Serie B, ndërsa nuk mungoi edhe një mesazh për tifozët kuqezi.
U bë viti i dytë që jam te Cittadella. Vjet nga janari zura edhe formacionin, po luaj rregullisht. Vjet fatkeqësisht humbëm finalen për të hyrë Serie A. Këtë vit objektivat ishin po të njëjta, që të luftojmë të jemi në zonën play-off dhe më pas të luftojmë për Serie A. Jam më se i lumtur atje.
Tifozët janë gjëja më kryesore për ne futbollistët. Kështu që është e rëndësishme që ata të na mbështesin si në ndeshjen me Spanjën që luajmë jashtë, ashtu edhe në ndeshjen me Gjeorgjinë në shtëpi. Do ishte diçka shumë e bukur ta shohim stadiumin plot.



