
Klubi i Elbasanit është shkrirë zyrtarisht dhe nuk do të garojë më në futbollin shqiptar. Në lidhje me këtë, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka folur edhe menaxheri i futbollit, Andi Matraxhiu, i cili u shpreh se e priste diçka të tillë, pasi ndërroi jetë presidenti Arben Laze.
Sipas Matraxhiut, Elbasani mbeti jetim, për shkak të kompanisë “Manchester Group”, që mori në zotërim klubin.
Në lidhje me krijimin e ekipit të ri, Akaemia e Futbollit Elbasani, ai deklaroi se aty po punohet mirë dhe ndoshta kanë qenë të detyruar te bashkia për ta marrë këtë hap.
Elbasani mbeti në mes të katër rrugëve, por përgjegjës janë ata që sollën kompaninë “Manchester Group”. Ndjeja një lloj keqardhje për situatën që po kalonin. Doja përkrahje nga institucionet dhe bashkia. Doja që të ndihmonin këtë ekip, që të mos ikte historia, për të krijuar një ekip të ri është e lehtë. Kjo nuk ishte dëshira ime. Krijimi i AF Elbasani ishte pika kulmore. Me largimin nga jeta të presidentit Arben Laze, e dija që do vinte kjo situatë.
Historia i përket Elbasanit që u shkri. Këtu po flasim për një skuadër të re. Nuk janë hedhur themelet për skuadrën e vjetër. Edhe te skuadra e re, po punohet shumë mirë, unë i njoh ata që punojnë aty. Po punohet mirë, por ndoshta edhe ata kanë qenë të detyruar të krijojnë një skuadër të re.
Elbasani i përkiste kompanisë të “Manchester Group”. Nuk e di çfarë ishte kjo kompani. Përgjegjësinë e kanë personat që e sollën në Elbasan, kompaninë që nuk figuron në internet. Elbasani mbeti jetim nga kompania që e mori në zotërim.



