
Në Itali kanë filluar të mendojnë se transferimi i Cristiano Ronaldo-s nuk ka qenë i goditur pavarësisht bujës së madhe 3 sezone më parë. Gjatë kësaj periudhe janë ndërruar edhe 3 trajnerë, duke filluar me Allegri-n, më pas Sarri-n dhe së fundmi Pirlo.
Me këtë të fundit ka ndodhur edhe zhgënjimi më i madh pasi përveç eliminimit nga Champions League nuk po fiton as kampionatin. Por përgjegjësitë më shumë për këtë po i merr Cristiano Ronaldo, i cili në ndeshjen e fundit hodhi në fushë edhe bluzën e Juventusit.
Ka qenë Gazeta italiane “La repubblica”, e cila ka zbuluar një prapaskenë nga largimi i trajnerit Alegri nga drejtimi i ekipit bardhezi në vitin 2019.
“Hiqni qafe Ronaldon, ai po bllokon rritjen e ekipit dhe shoqërisë”, dyshohet t’i jetë drejtuar Alegri presidentit Anjeli, fjalë të cilat mund të quhen si një profeci për “Zonjën e Vjetër”, e cila dy vite më vonë po bën llogaritë që portugezi mund të ketë qenë një transferim i dështuar për ta.



