
Menaxheri i futbollit, Andi Matraxhiu, në emisionin “SportZone” në MCN TV, ka komentuar situatën në kampionatin shqiptar. Ai e quan si abuzim atë që ka ndodhur te Dinamo, ndërsa shton se personat pranë presidentit kanë krijuar një bunker dhe nuk lejonin persona të tjerë të futeshin.
Gara për titull në Shqipëri u mbyll shumë shpejt. Kastrioti një ekip shumë i mrë, i dha një fytyrë tjetër kampionatit dhe një shembull që nuk duhet të dorëzohen deri në fund. Dhanë një shembull sesi një skuadër mund të gjejë forcën. Deri dy muaj më parë, askush nuk do e thoshte që Kastrioti do jetë në këto nivele.
Për Dinamon, do thoja vetëm një fjalë, abuzim. Kjo më shkon në mendje. Është abuzuar me mirëbesimin e presidentit Bardhi. Unë nuk e njoh fare Bardhin, por me çfarë kam dëgjuar, është një njeri korrekt. Kur je korrekt dhe nuk ke sukses, atëherë do të thotë që pas shpine ke abuzim. Këta janë mes gjithë të mirave dhe janë në pozita të tilla.
Te Dinamo, ndërtuan një fole ose bunker të vetin personat pranë presidentit dhe nuk futej njeri në atë rreth veç tyre. Nuk është marrë një lojtar që është ofruar, por është marrë një tjetër që ishte në lidhjen e rrethit. Nuk kanë qendërmbrojtës zëvendësues. U afruan lojtarë, që vjet ranë nga kategoria me Apoloninë.
Trajneri Shkëmbi e ka peshën kryesore. Ai ka afruar 90% të skuadrës. Nga ana profesionale ka bërë një punë shumë të dobët. Daljet në media, ku thotë se nuk ka përgjegjësi, janë të gabuar, pasi ai ka të gjithë përgjegjësinë. Me këtë trajner, presidenti ka gabuar. Devolli dhe Vanoli nuk kanë treguar asgjë dhe nuk kam çfarë të them për ata. Në fillim tha ka një ekip zotërinjsh pastaj i quajti palaço. Kur maskohen palaçot, nuk e di nëse janë futbollistët apo ata që i zgjodhën pas maskës.
Unë e kam thënë që Tirana ka një grup më të mirë. Tirana në fillim ka bërë merkato shumë të mirë. Nuk pamë një rival të denjë për Tiranën këtë sezon. Është një meritë e madhe e kubit për ekipin e krijuar. Kanë bërë merkato të shkëlqyer.
Duke folur për tensionin e trajnerit Longo, Matraxhiu tha se te Kukësi ka probleme të tjera, për të cilat duhet të flasin ata vetë.
Trajneri Longo ka bërë një punë shumë të mirë, por siç ka marrë meritat, tani duhet të pranojë edhe goditjet. Varet edhe nga përkrahja që ka në ambientin që e rrethon. Te Kukësi ka edhe disa probleme të tjera, që më mirë duhet të flasin ata. Kur del një trajner, që thotë nuk duhet të luajë në një stadium dhe ti e dërgon në stadiumin e kundërshtarit, këtu ka diçka. Janë gjëra që zgjidhen.
Zërat për Shehin në Kosovë? Nga ana profesionale, e nuhas që janë presione, pasi trajneri është në përfundim të kontratës dhe të lëvizë presidenca për rinovim.



