
Konferenca për shtyp e boksierit shqiptar Florian Marku dhe ukrainasit Maxim Prodan, para ndeshjes që do të zhvillohet të shtunën, është shoqëruar me momente tensioni.
Prodan e provokoi boksierin shqiptar, duke i thënë se kishte bërë gabim që pranoi të ndeshej me të, diçka që e irritoi Markun. Ky i fundit u ngrit nga konferenca dhe tentoi të shkonte të godiste ukrainasin, por u ndal nga personat e sigurisë.
“Ky nuk ia ka idenë çfarë është boksi. Duhet të mbajë me vete ndonjë armë, nëse pretendon se mund të më mposhtë mua. Do ia tregoj të shtunën se bëri gabim që pranoi të ndeshej me mua.”, tha Prodan.
Kjo acaroi Markun, i cili u ngrit ta godiste, por u ndal nga personat e sigurisë.
“Betohem në Zot se e kam pritur me padurim këtë moment dhe do ju tregoj të gjithëve se Prodan e ka gabim. Jam i sigurt 100% se do e mposht me nokaut”, u shpreh Marku.
Prodan është mbajtës i titullit IBF në kategorinë Welterweight dhe Marku do të tentojë ta mposhtë, për të marrë pikërisht këtë titull. Ndeshja do të zhvillohet ditën e shtunë në stadiumin e Tottenham, nën praninë e 70 mijë personave.



