
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është ndaluar për 48 orë, mbi dyshimet se ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi, njoftoi të mërkurën Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Mediat në Kosovë raportojnë se rasti ka të bëjë me dyshimet për krime ekonomike brenda periudhës pesëvjeçare të Ademit në krye të Federatës.
Policia dje i kishe bërë thirrje Ademit të paraqitej në stacionin policor dhe pas shumë orëve marrje në pyetje, ai u ndalua dhe do t’i kalojë dy ditët e ardhshëm në paraburgim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas ndërmarrjes se veprimeve paraprake hetimore, Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale ‘Keqpërdorimi i besimit’, nga neni 330 dhe ‘Shmangie nga tatimi’, nga neni 307 të KPRK-së.
I njëjti me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh, derisa në koordinim me Policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore lidhur me këtë çështje penale.”
Dje u mor në pyetje edhe Agim Gashi, zyrtar financiar në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Javë më parë Agim Ademi është liruar nga akuzat për detyrim në bashkëkryerje.
Ademi dhe Muharrem Rama akuzoheshin se në vitin 2012 kishin kërcënuar dhe sulmuar të dëmtuarin Dritëro Kadolli, duke i kërkuar të japë 30 mijë euro ose një “BMW X5”.



