
Chelsea nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1 ndaj Burnley në shtëpi. Në “Stamford Bridge” ishte një ndeshje me dy fytyra, ku pjesa e parë foli për skuadrën e Tuchel, që shënoi me Havertz në minutën e 33-të, ndërsa e dyta foli për miqtë, të cilët në minutën e 80-të, barazuan me Vydra.
Pavarësisht barazimit, Chelsea mban vendin e parë në Premier League me 26 pikë, 3 pikë më shumë se ndjekësit e Manchester City, të cilët në drekë fituan derbin ndaj United.
Në La Liga, Barcelona ka shpërdoruar avantazhin e trefishtë, teksa barazoi 3-3 me Celta Vigo në transfertë. Katalanasit e mbyllën pjesën e parë në avantazhin e 3 golave, pasi shënuan me Ansu Fati në minutën e 5-të, Sergi Busquets në minutën e 18-të dhe Memphis Depay në minutën e 34-t.
Megjithatë pjesa e dytë ishte një tjetër histori, pasi vendasit ia dolën të shënojnë plot 3 herë, duke barazuar shifrat. Ishte Iago Aspas që shënoi dopietë në minutat 52 dhe 96, ndërsa goli tjetër u realizua nga Nolito.



