
Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës së kthimit në Champions League, ndaj Tottenham.
Tekniku kuqezi tha se nuk ka dyshime se skuadra e tij do të jetë e motivuar dhe e përqendruar për këtë takim.
Në lidhje me kundërshtarin, Pioli deklaroi se pret që Tottenham të jetë një skuadër më agresive se ajo në ndeshjen e parë në Milano.
Do të më pëlqente të mendoja me të vërtetë se janë ndeshje që përgatiten vetë, por nuk është kështu. Pastaj besoj se nuk do të ketë nevojë për motivim të skuadrës pasi e dimë të gjithë rëndësinë e kësaj ndeshje, do të nënkuptonte kalimin e një turni, do të nënkuptonte të përmirësonim shumë rrugëtimin tonë europian në krahasim me sezonin e kaluar. Nuk kam as dyshimin më të vogël se skuadra do të jetë e motivuar, e vëmendshme dhe e përqendruar.
Ndryshe nga skuadrat angleze që nuk ndryshojnë sjellje, Totenhemi është një skuadër që ka sjellje dhe shifra të ndryshme në aspektin pozitiv në ndeshjet që luan në shtëpi në krahasim me ato në transfertë. Kemi analizuar mjaft mirë ndeshjet e tyre, mund të jenë më agresivë në krahasim me si kanë qenë në Milano. Më me intensitet, më me energji, por nuk mund të na zënë në befasi në këtë aspekt pasi i njohim.
Po flasim për Milanin, një skuadër që është mësuar të luajë në disa skena në nivele të rëndësishme e sidomos në Ligën e Kampioneve ku është munduar të spikatë. Është e qartë që rrugëtimi ynë parashikon që të kthehemi të jemi të rëndësishëm në Europë dhe nesër kemi një mundësi. Është e vështirë, por e dimë që është një mundësi dhe është e qartë që nesër do të mundohemi të shkruajmë diçka të rëndësishme.



