Trajneri i Milanit, Stefano Pioli, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës së parë në gjysmëfinalen e Champions League, ndaj Interit.
Pioli deklaroi se skuadra duhet të jetë e përqendruar dhe të japë gjithçka në fushën e lojës. I pyetur për gjendjen e sulmuesit Leao, tekniku kuqezi deklaroi se do të vendosë nesër, pasi të flasë me doktorët.
Është derbi më i vështirë, sepse është një gjysmëfinale e Ligës së Kampioneve. Por është gjithashtu bukur të përgatitesh, të përjetosh, të luash. Unë u përpoqa t’i përcjell përqendrimin dhe lumturinë skuadrës për të përjetuar këto momente. Pastaj është e qartë që nesër ne do të duhet të japim gjithçka për të marrë një rezultat të mirë. Duhet të kemi parasysh që do të luajmë 180 minuta. Duam që të luajmë dhe mendoj se mund të eliminojmë këdo.
Leao është stërvitur pak por ende nuk e dimë gjendjen e tij për ndeshjen e nesërme. Unë sonte do të fle i qetë por gjithsesi në mëngjes Rafa dhe doktori do të më njoftojnë rreth gjendjes së tij. Nëse është mirë do të thirret, përndryshe jo.



