Skuadra e “Flamurtarit” në basketboll për vajza vijon i pandalshëm vrullin drejt trofeut të Kampionatit. Këtë herë vajzat e trajnerit Viron Toska triumfuan përballë “Elbasanit” në pallatin e sportit “Flamurtari” të qytetit të Vlorës me rezultatin 122-94.
Diferenca në lojë erdhi si rezultat i ndërthurjes së eksperiencës së lojtareve vendase me shkathtësinë e lojtareve të huaja. Edhe në këtë takim, vlonjatet fituan pastër duke e tejkaluar kuotën e 100 pikëve, që përbën një rekord më vete për kampionatin shqiptar të basketbollit të femrave.
Pas javës së 13, skuadra e “Flamurtarit” udhëheq klasifikimin me 26 pikë të plota, pa asnjë humbje deri tani.
Ndërkohë që javën e ardhshme do të ndeshet me ekipin e “Studentit”.
Sponsor i skuadrës “Flamurtari”, është kompania MCN.



