Karol Świderski, ishte heroi i Polonisë, në sfidën ndaj Shqipërisë, teksa shënoi golin e vetëm dhe të fitores për skuadrën e tij. Megjithatë pas golit të Swiderski, ndeshja u ndërpre për disa minuta, për shkak të shisheve plastike të hedhura nga tifozët në drejtim të lojtarëve polakë gjatë kohës kur këta të fundit po festonin golin.
Për këtë, edhe vetë futbollisti që shënoi, merr një pjesë të përgjegjësive për atë që ndodhi, duke thënë se ndihet fajtor, pasi nuk duhet të festonte në atë vend ku ishin tifozët shqiptarë.
“Po, ndjehem edhe unë fajtor për incidentin në stadium, pasi nuk ishte nevoja të shkoja dhe të gëzohesha përpara tifozëve shqiptarë, e sidomos atyre të organizuar. Duhet të kuptojmë që u ndjeva i lumtur kur shënova në këtë ndeshje kaq vendimtare dhe veprova thjeshtë nga pasioni. Sinqerisht më vjen shumë keq për incidentin. E përsëris, fakti që tifozët reaguan në këtë mënyrë ishte deri diku edhe përgjegjësia ime. Në atë moment isha nën ndikimin e emocioneve të mia.”, u shpreh Swiderski.



