
Mbrojtësi i Vllaznisë, Mevlan Adili, ka folur para mediave, në prag të ndeshjes së nesërme, që shkodranët do të luajnë me Laçin. Adili ka thënë se Vllaznia ka vetëm një kundërshtar, dhe është vetë Vllaznia, ndërsa nuk e kurseu edhe një “thumbë” për kundërshtarin, duke thënë se kurbinasit duhet ta kenë për nder që luajnë me skuadrën kuqeblu.
“Jam i lumtur që erdhi dita që do fillojmë kampionatin. E dimë se për kë kundërshtar bëhet fjalë, dimë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Siç e dinë edhe ata se kë kanë përballë. Ne jemi të uritur për kampionatin, sepse dallojnë nga gjithë ndeshjet e tjera. Skuadra më duket mirë dhe bërthama e ekipit që ka mbetur ia ka bërë më të lehtë lojtarëve të rinj për t’u përshtatur.
E kam thënë edhe vjet, kundërshtari i vërtetë i Vllaznisë është vetë Vllaznia. Nëse jemi më të fortë se vjet, këtë do ia lëmë kohës. Ato që thotë drejtori Djarmati nuk e thotë kot dhe të dalë fjala e tij. Derisa jam këtu, duke parë ambientin brenda dhe jashtë fushe, jam më shumë se i kënaqur që jam këtu. Nëse do përsërisim sezonin e shkuar nuk do isha i kënaqur, sepse e humbën në fund titullin kampion. Këtë sezon le ta fitojmë.
Europa? Diferenca është e madhe, aty e sheh se nuk kanë diçka më shumë skuadrat, por organizimi është ndryshe. Kur merr pjesë atje, bëhesh më I fortë. Nuk i trembemi Laçit, asnjë kundërshtari, Laçi ta ketë për nder që luan me një ekip si Vllaznia, jo ne”, u shpreh Adili.



