Presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi ka reaguar pas shkarkimit të trajnerit Thomas Brdaric.
Nëpërmjet një postimi në profilin e tij, Xhaferi shkruan se i mirëkupton reagimet e tifozëve, por shton se ndryshimet bëhen për të përmirësuar situatën.
Të dashur miq, sportdashës, dashamirës të Klubit Futbollit Vllaznia. Duke vlerësuar situatën aktuale jo të mirë të rezultateve që po kalon ekipi jone i zemrës, kemi marrë vendim për ndërprerjen e marrëdhënieve me trajnerin e shquar Thomas Brdaric. Me anë të këtij statusi dua të falënderoj personalisht dhe në emër të klubit, Z. Brdaric për gjithçka që kontribuoi për ekipin tone të zemrës për më shumë se 1 sezon e gjysmë.
Gjithashtu dua t’i uroj shumë suksese në karrierën e tij në vijimësi. Vitin e kaluar jemi të gjithë dëshmitarë të një viti të jashtëzakonshëm të rikthimit të Vllaznisë në rrugën e suksesit, ku kulmoi me fitimin e Kupës së Shqipërisë dhe pa diskutim pjesë shumë e rëndësishme e rikthimit të këtyre emocioneve ishte trajneri Brdaric.
I mirëkuptoj reagimet sensitive të gjithsecilit dhe sigurisht debatet pozitive apo negative për këtë vendim, por dua t’ju siguroj se çdo ndryshim që bëhet është vetëm për një qëllim, për të përmirësuar situatën dhe arritur objektivat tona sa më të larta. Gjithashtu dua t’i uroj suksese në drejtimin e ekipit tonë, dyshes shkodrane, Elvis Plori-Auron Miloti. Me ndihmën e Zotit, do t’ia dalim.
Pas 25 javëve kampionat, Vllaznia mban vendin e katërt me 39 pikë dhe tani nga titulli, kanë kaluar në objektiv Europën.



