
Federata Shqiptare e Peshëngritjes, ka zbuluar një ngjarje të rëndë të ndodhur në familjen e këtij sporti.
Nëpërmjet një deklarate në profilin e “Instagram”, FSHP, pretendon se presidenti i klubit të Kamzës, Dashamir Çajka, ka sulmuar me thikë trajnerin e ekipit kombëtar, Bashkim Nikolla dhe sportistin Bekim Gripshi.
Ngjarja është e paqartë se kur ka ndodhur, ndërsa në videon e postuar, thuhet se gjithçka ka ndodhur gjatë një aktiviteti në Bosnjë.
DEKLARATA E FEDERATËS SHQIPTARE TË PESHËNGRITJES:
Në këtë status do të gjeni videon e Z.Dashamir Caika duke sulmuar dhe dhunuar me thikë trajnerin e Ekipit Kombëtar Z.Bashkim Nikolla dhe sportistin e tij Z.Bekim Gripshi.
Në atë aktivitet Z.Bashkim ka qenë shef i delegacionit për aktivitetin në Bosnje. Pasi Z.Dashamir ka kërkuar të jetë pjesë e këtij aktiviteti me sportistë që nuk e meritonin dhe federata e ka kundërshtuar këtë kërkesë.
Z.Dashamir ka sulmuar me thikë Bashkim Nikollën dhe Bekim Gripshin duke menduar se Z.Nikolla ka refuzuar kërkesën e tij.
Bëjmë me dije opinionin publik se këto video do të paraqiten ditën e hënë në Prokurori dhe u kërkojmë organeve të drejtësisë të marrë masa përsa i përket kësaj çështjeje tejet serioze.
Bëjmë me dije Z.Rakip Suli në cilësinë e kryetarit të Bashkisë Kamëz, Komitetin Olimpik dhe Presidentin e saj Z. Fidel YIli dhe organet kompetente për këtë çështje.
Këta njerëz dhunues, të inkriminuar dhe dashakeqë të heqin duart nga sporti dhe vendi ynë.



