
Teksa kampionati i Superiores ka mbërritur në mesin e sezonit, analizat për skuadrat më efikase dhe ato me rezultatet më të dobëta janë intensifikuar.
Gazetari Mantho Prokopi, për “MCN Informacion”, vlerëson se deri në këtë fazë Teuta dhe Vora janë surprizat më të mëdha të sezonit, ndërsa Tirana po kalon një krizë të thellë.
Sot mbyllet java e 14-të e Abissnet Superiore, e cila solli dy rezultate surprizë. Kampionja në fuqi, Egnatia, u mposht në shtëpi në Rrogozhinë nga Flamurtari me shifrat 0–1, një rezultat që shumë pak e prisnin. Nga ana tjetër, Vora ndali në barazim 0–0 Vllazninë në Shkodër.
Këto dy ndeshje i shtohen rezultateve të tjera surprizë që u regjistruan një ditë më parë, duke e bërë kampionatin më të ndërlikuar dhe të paparashikueshëm.
Një tjetër skuadër që ka dhënë sinjale pozitive është Elbasani, edhe pse këtë javë u ndal në barazim nga Teuta, i dyti radhazi pas barazimit 0-0 me Partizanin në “Elbasan Arena”.
Në anën tjetër, 'Tirana' duket se konfirmon krizën, thotë Prokopi.
E pozicionuar në vendin e fundit, skuadra bardheblu po e thellon situatën negative javë pas jave, pavarësisht se përballë ka pasur katër kundërshtarë të fortë si Dinamo, Egnatia, Elbasani dhe Vllaznia.
Teuta dhe Vora janë padyshim surprizat e sezonit, pasi në fillim askush nuk e priste këtë ecuri pozitive nga të dyja skuadrat.
E vetmja skuadër në ‘pikë të hallit’ është Tirana, e cila në këtë fazë të kampionatit gjendet në fundin e renditjes.



