Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, në një intervistë për “Sport24.gr”, deklaroi se e kishte mundësinë të zgjidhte Greqinë për të përfaqësuar, por zgjodhi Shqipërinë, për shkak të rrënjëve të tij dhe prindërve.
Strakosha foli edhe për objektivat e Shqipërisë, duke thënë se synimi është kualifikimi në Europianin e 2024.
E dua, e vlerësoj dhe e respektoj Greqinë, por unë dhe prindërit e mi jemi nga Shqipëria dhe mendoj se është më e përshtatshme të luaj për Kombëtaren Shqiptare. Mund të zgjidhja edhe Greqinë, por unë dhe prindërit e mi i kemi rrënjët në Shqipëri.
Dhe është mirë që në Kombëtare të jenë emrat më cilësorë që janë shqiptarë për të ndihmuar skuadrën që të fillojë të ndërtojë emrin e saj. Mendoj se në vitin 2024 mund të jemi sërish në Europian, sepse kemi një brez të ri me shumë talent, lojtarë shumë të mirë dhe me mentalitet europian.
Ka shumë lojtarë që luajnë jashtë vendit. Të gjithë bashkë ia dalim prapë. Polonia është favorite e grupit, por ne duhet të jemi patjetër në vendin e dytë që të kalojmë më tej. Do të jetë turp nëse nuk do të shkojmë në Europian, ne kemi talent.



