
Mbërritja e një sulmuesi në ‘’ Camp Nou ‘’ vijon të mbetet ëndërra në sirtar e Barcelonës për merkaton . Dëmtimi i Memphis Depay ia ka kallur datën spanjollëve të cilët synojnë ti krijojnë qetësinë e nevojshme Xavi Hernandezit .
Problemet shtohen çdo ditë tek kuq e blutë që morën një shuplakë të fortë me eleminimin e papritur në Champions League . Ky dështim historik i faturohet Xavi Hernandezit i cili ka në dorë fatet e një ekipi ku presioni ndihet në çdo moment por beson fort se më e mira do të vijë për djemtë e tij .
Nëse kjo histori analizohet me detaje, duhet theksuar se rënia e Barcelonës ka nisur me largimin fillimisht të Neymar i cili është pasuar nga Suarez dhe Messi duke i dhënë fund ‘’ MSN ‘’ së famshme që mposhti çdo rival në të kaluarën. Gjithsesi thonë se çdo e keqe e ka një të mirë dhe ‘’ Blaugranët ‘’ janë të bindur se do ta ngrejnë kokën .
Emri i rradhës në merkato është Pierre Emerick Aubameyang , situata e të cilit në ‘’ Emirates ‘’ konsiderohet në mëdyshje absolute dhe sipas ‘’ El Nacional ‘’ është një opsion interesant për Barcelonën .
Eksperienca e 32 vjeçarit mund të garantojë golat e munguar në këtë marsh të parë të sezonit por problematikat e theksuara ekonomike nuk i sigurojnë gjë tjetër veçse huazimin e sulmuesit nga Gaboni deri në fundin e sezonit me opsionin e blerjes së kartonit me një çmim të konsiderueshëm .
Kontrata deri në 30 qershorin e 2023- shit është një tjetër fakt kokëfortë për ‘’ Los Cules ‘’ të cilët duhet të planifikojnë me përpikmëri transferimin e golashënuesit në ‘’ Camp Nou ‘’ , atje ku janë hapur me kohë dyert për lojtarët cilësorë.
Loja e ishi-t të Dortmundit preferohet nga Xavi Hernandez sepse me shpejtësinë dhe nuhatjen që e karakterizon tremb çdokënd dhe gjithashtu mosmarrëveshjet e shpeshta me Mikel Arteta-n janë një plus për Barcelonën për firmosjen me asin e ‘’ Topchinjve ‘’.
Një fakt domethënës që ka krijuar pakënaqësi dhe një lloj ftohje marrëdhëniesh është se traineri spanjoll ia ka hequr shiritin e kapitenit duke provokuar një situatë shqetësuese duke rrezikuar qëndrimin në Londër . 7 gola dhe 2 asiste në 15 sfida ia lartësojnë figurën Pierre Emerick Aubameyangu-t por duhet parë se çfarë do të ndodhë me telashet e krijuara në javët vijuese sepse aktualisht kjo situatë nuk i garanton asgjë Arsenalit.



