Ish-trajneri i Teutës, Blendi Shkëmbi, në një intervistë për TvT analizon kampionatin aktual dhe flet edhe për të ardhmen e tij në pankinë. Shkëmbi vlerëson ecurinë e Tiranës dhe Skënderbeut dhe parashikon betejë të fortë për zonën e Europës dhe play-out.
Një koment për rifillimin e kampionatit.
Ky kampionat i ka kaluar tërë pritshmëritë. Deri tani kemi parë ndeshje me ritëm dhe të mira.
Tirana dhe Kukësi nuk shkëputen nga njëra-tjetra. Cili është mendimi juaj?
Tirana është duke vazhduar njëlloj dhe ndihet entuziazmi në skuadër. Ndërsa Kukësi, pas fitores me Partizanin është ngritur psikologjikisht. Sidoqoftë, duhet bërë kujdes, pasi një gabim gjatë rrugës mund t’u kushtojë të dyjave.
Si e shikoni ecurinë e dobët të Partizanit?
Nuk është më Partizani i dikurshëm, i cili vendosej shumë mirë dhe ishte e vështirë t’i gjeje hapësira për t’i shënuar. Edhe në ndeshjet e fundit,ka pësuar shumë duke patur gabime.Gabuan portierët,gaboi Hoxha dhe pastaj Teqja. Është një moment i keq, i cili po zgjat tepër.
Si e komentoi faktin që Skënderbeu është në vend të tretë?
Për mua nuk është surprizë pozicionimi në vend të tretë për Skënderbeun. Është skuadër që ka lojtarë me cilësi, por një meritë të madhe ka edhe trajneri Daja që ka gjetur ekuilibrat.
Parashikimi për pjesën e mbetur të sezonit?
Të dy skuadrat e para do të vazhdojnë luftën me njëra tjetrën. Por Tirana më duket skuadër e vendosur dhe shumë e sigurt dhe mendoj se e ka të sigurt titullin. Ndërsa skuadrat e tjera do të luftojnë për zonën e Europa League dhe play-out.
Zërat për pankinë?
Kam patur kontakte dhe fillimi i sezonit të ri do të më gjejë në krye të njërës prej skuadrave. Kam dëgjuar se emri im është lakuar edhe për stolin e Partizanit. S’më vjen aspak mirë për këtë gjë, pasi Partizani e ka trajnerin e vet dhe unë nuk kam kontaktuar me askënd nga ky klub. Të drejtosh Partizanin është nder, ajo dihet, por unë nuk kam patur asnjë kontakt.



