Banka e Shqipërisë ka publikuar statistikat për muajin shtator 2016, ku vërehet rritje e interesave të kredisë në lekë për pjesën më të madhe të huadhënieve.
Sipas BSH, norma e interesit e kredisë në lekë për korporata jofinanciare private arriti në 10.42% në shtator, nga 8.86% që ishte në gusht, me një rritje të ndjeshme prej 1.56 pikë përqindje.
Rritje e interesit gjatë këtij muaji është shënuar edhe për overdraftin që ka kërcyer nga 6.86% në 11.54%. Ndërkohë që me rënie ka qenë vetëm interesi për kreditë për pasuri të paluajtshme, nga 8.84% në 6.06%.
Sipas raportit të BSH-së, më të shtrenjta kanë qenë dhe kreditë në euro, nga 4.76% në 5.96%.
Bankierët pohojnë se janë disa nga arsyet që po rriten interesat, pavarësisht se Banka e Shqipërisë në prill dhe maj uli dy herë normën bazë, duke e çuar në 1.25% aktualisht.
Së pari, sipas tyre, normat e bonove të thesarit, që shërbejnë si referencë, kanë qenë në rritje dy muajt e fundit. Së dyti, risku i perceptuar i bankave është shtuar, siç kanë dëshmuar dhe sondazhet e fundit me bankat, ku risku makroekonomik cilësohet si një nga shqetësimet kryesore të bankierëve.



