
Së fundmi tek Napoli është përjetuar një situatë delikate për shkak të një deklarate të sulmuesit Hirving Lozano . Sipas shumë zërave meksikani në mënyrë indirekte e ka etiketuar një skuadër të nivelit mesatar , duke evidentuar se bashkjetesa në ‘’ Diego Armando Maradona ‘’ mund të përfundojë shumë shpejt .
Duke iu referuar deklaratës së tij, drejtuesit e bardhekaltërve e shikojnë me një optikë ndryshe situatën e 26 vjeçarit për të cilin italianët derdhën 35 milionë euro në arkat e Psv Eindhoven në merkaton e 2019- tës .
‘’ El Chucky ‘’ ka arritur të adaptohet shumë shpejt tek napoletanët dhe këtë fakt e konfirmoi në sezonin e kaluar me 15 gola të shënuar përfshirë të gjitha kompeticionet ku Napoli mori pjesë .
E tashmja gjithashtu është shumë shpresëdhënëse sepse përveç disa sifdave , nxënësi i Luciano Spallettit ka veshur fanellën bardhekaltër pothuajse në të gjitha sfidat por duhet theksuar se deklarata e tij lidhet me transferimin tek një klub që mund ti japë shansin të fitojë trofe .
Si duket dëshira e Hirving Lozanos është drejt plotësimit sepse Manchester United dhe Inter janë të gatshëm ti ofrojnë një të ardhme ndryshe dhe ta afrojnë me trofetë kolektivë dhe pse jo në anën individuale për t’ia pasuruar karrierën talentit të kombëtares ‘’ Trikolor ‘’.
‘’ Djajtë e Kuq ‘’ kanë filluar luftën me objektivin e ringritjes dhe duan që të kenë në skuadër elementë cilësorë dhe Hirving Lozano mund të adaptohej shumë shpejt në Premier League për arsye se karakteristikat që mbart janë idealet për lojën që zhvillon Manchester United .
Aftësia e tij mund të rezultojë një ndihmë e madhe për Cristiano Ronaldon për të shtuar produktivitetin pavarësisht se është një lojtar që nuk ka nevojë për koment . Në rastin e zikaltërve , Hirving Lozano konsiderohet plani B nëse nuk do të arrijnë transferimin e Lorenzo Insignes në ‘’ San Siro ‘’ për të cilin janë interesuar edhe rivalët e përjetshëm të tyre .
Gjithçka mbetet e hapur për lojtarin e lindur në kryeqytetin e Meksikës , pretendentët e të cilit garantojnë shumë për të ardhmen sepse janë nga skuadrat më të njohura si në kampionatet respektive ashtu edhe në kompeticionet europiane .



