
Mesfushori i Partizanit, Sherif Kallaku zbuloi se kishte kërkuar vetë largimin nga kroatët e Lokomotiva Zagreb. Duke folur para mediave, në prag të sfidës me Vllazninë, ai tha se ndonjëherë është më e lehtë të mposhtësh ekipet e forta.
“Në aspektin personal nuk e kam pritur të përshtatem me ekipin dhe jam shumë i lumtur që kam njohur djem fantastikë. Edhe profesor Mehmetin, mendoj që ne lojtar duhet t’i përshtatemi trajnerit dhe ta bëjmë të ndjehet sa më komod, ta bëjmë me “dhimbje koke” që të mendojë kë të vendosë në formacion dhe është një trajner shumë i mirë.
Kam bërë autokritikë, i kërkova ndjesë ekipit dhe trajnerit që nuk reagova mirë dhe u tregova impulsive. Kam reflektuar që nuk veprova mirë.
Shpresoj të kemi shans nesër dhe të marrim rezultate pozitive, të bëjmë lojën që ne duam dhe të japim 100% tonë.
Edhe kur kam qenë te Teuta e kam thënë që ekipet më të vështira, ndonjëherë munden më kollaj se ekipet e dobëta. Nesër shpresoj që do të marrim fitoren e parë nga ekipet e para dhe besoj se do e marrim.
Unë vij nga Fushë-Kruja, atje ka shumë tifozë të Partizanit dhe si mund t’i thoja unë jo Partizanit?!
Te Lokomotiva unë e kam kërkuar vetë huazimin, kam pasur tre takime me presidentin për të gjetur formën time më të mirë, erdha për të ndihmuar Teutën, nuk e di a ia kam arritur, por atë qëllim kisha”, u shpreh Kallaku.



