Saliou Guindo është largimi i radhës nga skuadra e Laçit. Ka qenë vetë sulmuesi, i cili nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka njoftuar mbylljen e bashkëpunimit me kurbinasit.
Lojtari që sezonin e fundit fitoi “Këpucën e Artë” në Superiore, tashmë do të vazhdojë karrierën në Emiratet e Bashkuara Arabe.
25-vjeçari ka firmosur për dy sezone me skuadrën e Dibba, të cilët mësohet se i kanë ofruar një rrogë të majme.
Guindo u afrua në kampionatin shqiptar në vitin 2018 te Skënderbeu, por arriti të shpërthente vetëm në radhët e Bylisit, ku u transferua pasi nuk gjente hapësira te korçarët. Më pas futbollisti nga Mali tentoi edhe një aventurë në Turqi, por që u pre në mes nga dëmtimet e njëpasnjëshme.
Sulmuesi u kthye në verën e kaluar në futbollin tonë dhe me Laçin ia doli të linte shenjë në dy sezonet në Europë si dhe në luftën për vendin e dytë në kampionat. Ai mbylli sezonin e fundit me 19 gola të shënuar në 34 ndeshje, duke fituar “Këpucën e Artë” të Superiores.



