Finalja e Kupës së Botës FIFA 2026 do të paraprihet nga një ceremoni madhështore mbyllëse, ku do të performojnë disa nga emrat më të njohur të muzikës dhe kinemasë botërore.
FIFA njofton se ceremonia do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në stadiumin MetLife në East Rutherford, New Jersey, 90 minuta përpara finales.
Ajo do të festojë rrugëtimin historik të turneut të parë me 48 skuadra, të organizuar në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada, duke sjellë në vëmendje momentet më emocionuese të kampionatit.
Në skenë do të ngjiten Laura Pausini, Nicole Scherzinger, Robbie Williams dhe ylli i YouTube, IShowSpeed, ndërsa një paraqitje speciale do të bëjë edhe aktori i njohur Tom Cruise.
Një tjetër moment kulmor i ceremonisë do të jetë interpretimi i himnit kombëtar të Shteteve të Bashkuara nga Jennifer Hudson.
Artistja, fituese e çmimeve Emmy, Grammy, Oscar dhe Tony, do të hapë atmosferën e finales me një performancë të veçantë.
Ceremonia është realizuar në bashkëpunim me Balich Wonder Studio dhe synon të ndërthurë muzikën, kulturën dhe futbollin, duke reflektuar frymën globale të Kupës së 23-të Botërore të FIFA-s.
Organizatorët kanë bërë të ditur se në ditët në vijim do të zbulohen edhe artistë dhe të ftuar të tjerë specialë.
Për herë të parë në historinë e Kupës së Botës, finalja do të shoqërohet edhe me një spektakël gjatë pushimit mes pjesëve.
Në shfaqjen 11-minutëshe pritet të performojnë emra të mëdhenj të muzikës botërore, mes tyre Madonna, Shakira, Justin Bieber, grupi Coldplay dhe yjet e K-pop-it BTS.
"Duke i bërë jehonë frymës së ceremonive të hapjes, ceremonia e mbylljes do ta përmbyllë Kupën e Botës FIFA 2026 përmes muzikës, kulturës dhe futbollit, përpara se të nisë ndeshja që do të kurorëzojë kampionët e këtij turneu historik", u shpreh Heimo Schirgi, Drejtor Operacional i Kupës së Botës FIFA 2026.
Ceremonia do të nisë në orën 13:30 sipas kohës lokale, ndërsa finalja do të luhet në orën 15:00 (19:00 GMT). Portat e stadiumit do të hapen katër orë përpara ndeshjes, duke u ofruar tifozëve aktivitete, argëtim dhe surpriza të shumta para fillimit të finales.



