Trajneri i Skënderbeut, Ivan Gvozdenovic, foli për mediat, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë këtë të shtunë ndaj Erzenit.
Referuar barazimit të fundit me Kukësin, tekniku i korçarëve deklaroi se ekipi i meriton kritikat, por shtoi se duhen parë edhe anët pozitive nga ajo ndeshje.
I pyetur për mosaktivizimin e mesfushorit Rei Pecani, Gvozdenovic deklaroi se lojtari është gati për lojë, por janë zgjedhjet e stafit.
Me Kukësin nuk ishte e mirë, ishim të nervozuar dhe nuk ishim të kënaqur. Ishim shumë dobët në pjesën e dytë. Kjo është hedhur mbrapa. E kemi bërë analizën dhe mendojmë për ndeshjen e radhës, ndaj Erzenit që është shumë e rëndësishme. Me Kukësin meritojmë kritikat, por kishte edhe gjëra shumë të mira.
Nuk kemi kohë të mendojmë për atë që kaloi. Do punojmë që të mos përsëritet. Nesër është një ndeshje shumë e rëndësishme. Jemi në vendin e katërt dhe jemi pak të qetë, por diferenca e pikëve është e vogël. Çdo javë për ne është si finale. Kemi edhe katër ndeshej deri në fund të fazës dhe më pas do shikojmë.
Pecani nuk është i dëmtuar, është gati dhe një lojtar i mirë. E kam thënë, kemi 25 lojtarë dhe vendos stafi. Pecani është gati për lojë. Nuk ka luajtur për 2 ndeshjet e fundit, por shikojmë rezultatin, skuadrën dhe më pas skuadrën. Pecani ka status si të gjithë. Kur kemi nevojë ai është gati.



