
Drejtori i Përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, në emisionin “Skaner” në MCN TV, u shpreh se grupi aktual, është më i miri që të kuqtë kanë pasur ndonjëherë.
Duke komentuar sezonin e Partizanit, Rama u shpreh se mungesa e rezultateve në fillim, solli edhe atë krizë, që kulmoi me largimin e trajnerit Ilir Daja, i cili sipas tij ishte i dhimbshëm.
I pyetur mbi faktin se Tirana mund të shpallet kampione në derbi ndaj Partizanit, ai u shpreh se fitorja e “demave” në sezonin e titullit, ishte më e bukur.
Tirana kampione ndaj Partizanit? Ishte më e bukur fitorja jonë, kur morëm titullin, sepse ishte në shtëpinë e Tiranës. Ne na duhej fitorja që të dilnim kampionë, Tirana edhe mund të humbasë derbin dhe përsëri të dalë kampion.
Unë isha në stadium në pjesën e parë te ndeshaj e Tiranës. Bardheblutë i kuptoj shumë mirë, në pjesën që është shumë e vështirë që të mbash shumë lart lojën, në një moment që titulli është aty dhe motivacioni mungon. Nuk e kuptova atë nervozizmin aty. Tirana më ka pëlqyer vetëm një ndeshje, atë ndaj Laçit në Air Albania. Kanë qenë një ekip cinik, për të menaxhuar avantazhin që arritën në fillim. Kampionati këtë vit nuk mendoj se u rrit në nivel nga vitet e tjera, Tirana e ka merituar titullin.
Çdo sezon ka vështirësitë e veta. Kur ndryshon trajnerin me dhimbje në mes të sezonit, preanon që ke hasur vështirësi. Ekipi aty është, prurjet e janarit na kanë ndihmuar shumë. Më pëlqeu ndeshja me Kukësin. Shpresoj të vazhdojmë në këtë mënyrë. E gjithë hallka e strukturës, ku klubi funksionon, u bë si ato enët që ziejnë. Nuk kemi pasur asnjë problematikë apo zënkë brenda në klub. Ka pasur një atmosferë që u bë mbytëse, për mos arritjen e rezultateve. Kemi çaluar në disa ndeshje dhe fusha ku nuk duhet ta bënim.
Të luash në shtëpi dhe të bësh atë lojë si ndaj Skënderbeut, ndaj një ekipi me këmbën në Kategorinë e Parë, është meritë e korçarëve, por edhe mangësi e madhe e jona. Edhe nëse nuk do ishin bërë gabimet që janë bërë, do kishte mundësi që gjërat të bëheshin edhe më mirë. Tani jemi në fund të sezonit dhe disa gjëra i kuptojmë dhe i nuhasim. Në një ekip ka merkato ku gabohet. Gabohet me emra dhe reparte. Jemi munduar të bëjmë më të mirën. Mund të them se këtë sezon, është grupi më i mirë që Partizani ka pasur ndonjëherë.
Me Dajën funksionuam. Ne vjet bëmë një kampionat shumë të mirë. Daja është nga më të mirët. Mbaj raporte të mira. Arsyet që sollën dështimin, ndoshta është ecuria jo e mirë në fillim dhe mungesa e rezultatit.



