
Java e shtatë e Abissnet Superiore nisi me sfidën mes Dinamos dhe Kukësit, e cila u fitua minimalisht nga verilindorët.
Ditën e sotme do të zhvillohen dy ndeshje të tjera. Laçi pret në shtëpi Skënderbeun, duke filluar nga ora 13:45, në një sfidë që pritet të jetë e luftuar nga fillimi deri në fund.
Të dyja skuadrat futen në fushë për të marrë fitoren, me kurbinasit që vijnë me moralin më të lartë në këtë sfidë, pasi në javën e kaluar morën fitoren e parë në kampionat ndaj Kastriotit. Josa do të ketë debutimin e tij në stolin e bardhezinjve sot dhe do të kërkojë ta nisë me këmbën e mbarë.
Në krahun tjetër, Skënderbeu ende nuk njeh fitore në këtë kampionat dhe të besuarit e Memellit do të kërkojnë që të marrin sot 3 pikët e para.
Në 16:45, luhet edhe kryesfida e kësaj jave. Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Tiranën. Të dyja skuadrat kanë vetëm një objektiv në sfidën e sotme, të dalin me 3 pikët. Bardheblutë vijnë me moralin e lartë, pas asaj fitore në derbin ndaj Partizanit, por siç e tha edhe trajneri Orges Shehi në konferencë për shtyp, euforia edhe mund t’i dëmtojë.
Në krahun tjetër, Vllaznia pas humbjes ndaj Kukësin në javën e kaluar do të kërkojë të rikthehet te triumfi, në mënyrë që vendet e para të mos largohen edhe më tepër.
Spektakli në këtë sfidë është i garantuar, ashtu siç kanë qenë edhe në të kaluarën ndeshjet mes këtyre dy skuadrave.



