
Me shumë gjasa e ardhmja e Dani Alves do të jetë përsëri atje ku mundi të fitojë një sërë trofesh si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar . Braziliani është tunduar përsëri nga mundësia për të veshur bluzën kuq e blu dhe traineri i ri Xavi Hernandez e ka dhënë menjëherë konfirmimin sepse i njeh më mirë se kushdo cilësitë e 38 vjeçarit .
Ky transferim konceptohet si një luks më vete për Barcelonën e cila pret hapjen e merkatos për të zyrtarizuar rikthimin e Dani Alves në mitikun ‘’ Camp Nou ‘’ . Sipas ‘ Sport ‘ kontratës i mbeten edhe detajet e fundit për të vënë firmën që lidhen me rrogën e ishi-t të ‘’ Seleçaos ‘’ në një ndër ekipet më të famshme të planetit.
Pavarësisht se nuk janë zbardhur të gjitha detajet , parashikohet se kontrata që do të firmosë ish-i i Juventusit do të jetë deri në mbarimin e këtij sezoni sepse normalisht mosha bën të vetën por ‘’ Blaugranët ‘’ shpresojnë që eksperienca e madhe e tij ti shërbejë prapavijës që historikisht ka rezultuar një repart problematik tek spanjollët .
Me largimin e tij , kuq e blutë kanë vuajtur së tepërmi në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe nuk kanë mundur të gjejnë një lojtar rezistent dhe produktiv por ky hap i tyre vlerësohet si shumë cilësor sepse Dani Alves është një kampion i vërtetë dhe ndjenja për këtë skuadër është e padiskutueshme , fakt që me siguri duke njohur edhe kualitetin brenda fushës do ta ndihmojë për ta bërë më funksional.
Pas 6 vitesh Barcelona ka gjetur një alternativë vërtetë të përshtatshme dhe duhet shikuar se si do të riadaptohet, këtë herë nën drejtimin e ish shokut të skuadrës .



