Trajneri i Shqipërisë U-21, Alban Bushi, foli në konferencë për mediat, pasi publikoi listën për dy ndeshjet e këtij muaji, ndaj Finlandës dhe Zvicrës, për kualifikueset e Europianit
Bushi sqaroi zgjedhjet e bëra, tregoi se pse ka ftuar më shumë mbrojtës që luajnë në kampionatin shqiptar, ndërsa u ndal edhe për dy lojtarët e ftuar rishtazi në Kombëtare, Fetain dhe Jasharin.
Janë 10 lojtarë nga kampionati shqiptar. Mbrojtësit po luajnë dhe na japin siguri sepse kemi pasur gjithmonë probleme në mbrojtje. Lojtarët që ju përmendët luajnë vazhdimisht. Mendoj që do të bëjnë mirë sepse kanë minuta në këmbë dhe eksperiencë. Kemi punuar shumë sidomos me repartin e mbrojtjes gjatë kësaj kohe që kemi qenë pushim, duke i dërguar video dhe duke parë kundërshtarin. Mendoj që do të jemi kompaktë në ndeshjen me Finlandën.
Nuk ka qenë e lehtë ardhja e tyre në kombëtaren shqiptare e Fetait dhe Jasharit, sepse kanë pasur shumë kërkesa si nga Maqedonia e Veriut, po ashtu edhe nga Zvicra dhe Kroacia. Dua t’i falënderoj të dy sepse janë dy lojtarë shumë të rinj që janë ditëlindja 2005 dhe janë edhe për dy sezone të tjera me ekipin Shpresa. Fetai është një lojtar me shumë potencial, lojtar i rrallë për pozicionin ku luan dhe lëvizjet që bën në fushë. Mendoj që do të jetë lojtari kyç në mesin e fushës për të gjithë sezonin. Që kur e kam parë videon e parë, më la përshtypje shumë të mira, i ngjan shumë Modriçit edhe për lëvizjet që ai bën në fushë. Vrapon shumë në fushë, është shumë luftarak, sakrifikues dhe besoj se do të bëjë shumë mirë si për ekipin Shpresa, por do jetë një potencial i madh edhe për ekipin A. Të njëjtat fjalë mund të them edhe për Jasharin.
Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Mendoj që Finlanda është ekipi që luan më bukur futboll, pavarësisht se ndodhet pas nesh. Për mua luan më mirë se Zvicra dhe Rumania. Kjo është ndeshja jonë e jetës, ndeshja jonë e ëndrrave, që ne të shkojmë në Europian. Duhet ta fitojmë patjetër këtë ndeshje. Ne e respektojmë shumë ekipin e Finlandës, është një ekip shumë i mirë. Por ne në tokën tonë jemi shumë të fortë. Toka jonë na jep energji pozitive. Nuk diskutohet që do të japim maksimumin, do të sakrifikojmë shumë. Më vjen mirë që ndeshja do të luhet në stadiumin “Air Albania”, mendoj që do të ketë shumë tifozë, është organizuar shumë mirë edhe nga FSHF. Është një ndeshje shumë e rëndësishme. Nëse fitojmë këtë ndeshje, është një shans shumë i madh për të zënë vendin e dytë ose të parë në grup.



