
Interesi i disa gjigandëve europianë ia ka reduktuar shanset Dusan Vlahovicit për të qëndruar në ‘’ Allianz Stadium ‘’.
Kalimi i serbit tek ‘’ Zonja Vjetër ‘’ në merkaton dimërore të 2021-shit u konsiderua një ndër transferimet më të bujshëm në Serinë A por gjatë merkatos drejtuesit e saj do të vihen në dispozicion për dëgjimin e ofertave në adresë të golashënuesit.
Objektivat e ish rekordmenëve të Scudettos janë disa , ndër të cilët përfshihet Davide Frattesi , Rasmus Hojlund dhe Marco Asensio.
Real Madridi dhe Bayern Munchen janë pretendentët momentalë të ishi-t të Fiorentinës, ekipe që do të zhvillojnë një supersfidë midis tyre , pavarësisht se Dusan Vlahovic është akoma larg formës optimale.
Ky fakt reflektohet edhe me statistikat e vakëta, lojtar i cili në 28 ndeshje ka gjetur në 11 raste rrugën e rrjetës dhe ka shërbyer me 4 asiste për shokët e skuadrës .
Arsyet për t’ia hapur dritën jeshile të largimit nga Torino janë të mjaftueshme, sidomos duke patur parasysh se pretendentët janë cilësorë dhe sigurojnë pa dyshim fitimin e titujve në të ardhmen.



