Tre lojtarë të ekipit të Shënkollit në kategorinë e parë janë izoluar pasi dyshohet të jenë infektuar me koronavirus. Lojtarët në fjalë kanë shfaqur shenja të ngjashme me COVID-19 dhe për të mos rrezikuar të tjerët po qëndrojnë të veçuar.
Mësohet se ato kanë shfaqur temperaturë dhe kanë kryer tamponin, ndërkohë që nesër pritet të mësohen edhe rezultatet e këtyre testeve.
Mendohet se lojtarët kanë rënë në kontakt me virusin pasi kanë takuar tre ditë më parë një ish-futbollist i cili ka rezultuar më herët pozitiv. Ky i fundit u infektua teksa ishte në QSU-t ku kishte babanë të shtruar. Ndeshja e fundit që ka zhvilluar ekipi i Shënkollit ka qenë 1 javë më parë në Orikum.
Këta në rast se rezultojnë pozitiv nuk do ishin rasti i parë në futbollin shqiptar, pasi me datë 2 qershor, një ditë para se të riniste Superliga e ndërprerë për shkak të koronavirusit, futbollisti i Bylisit Eridon Qardaku rezultoi i infektuar. Gjithsesi brenda pak ditësh në dy testet pasardhëse Qardaku e mposhti COVID-19.



