
Partizani ka prezantuar këtë të martë trajnerin e ri, Zoran Zekic, i cili do të pasojë në stol të larguarin Colella. Në fjalët e tij, Zekiç deklaroi se nuk e zgjodhi ai Partizanin, por e zgjodhi klubi atë. Tekniku kroat u shpreh se ka ardhur në klubin më të madh në Shqipëri, ndërsa shtoi se skuadra nuk është ende e kompletuar, por për këtë po punojnë drejtuesit. “Unë nuk zgjodha Partizanin, më zgjodhi Partizani mua. Për mua ishte një sfidë e madhe, kam punuar në Moldavi, në Hungari, në Kroaci dhe tani kisha nevojë për një sfidë të re. Mendoj se Partizani është klubi më i madh në Shqipëri dhe për mua, stafin tim, është një mundësi që të bëjmë diçka të mirë për Europën, duke filluar nga Champions e pastaj kampionati. Kam zhvilluar vetëm një stërvitje, kam parë shumë gjëra, nuk jemi kompletuar ende, presim disa lojtarë. Padyshim duhet të tregoj veten time dhe t’u shpjegoj lojtarëve të mi çfarë pranoj dhe cilat rregulla duhet të ndjekin në fushën e lojës dhe jashtë saj. Nuk kemi shumë kohë.”, tha fillimisht tekniku kroat. I pyetur për Grezdën, Zekic tha se lojtari ka dëshirë të madhe të transferohet te Partizani, por shtoi se gjithçka do të varet nga bisedimet. “Grezda? Mendoj se është pyetje për drejtorin se kam goxha punë për të bërë në fushën e lojës. Duhet ta dini që ai luajti futbollin më të mirë të karrierës së tij kur luajti me mua. Uroj që të jetë në formë të mirë, e di që ka një dëshirë të madhe të vijë te Partizani, por çdo gjë tjetër varet nga marrëveshjet. Matondo është ende lojtari ynë, nuk mendoj se nuk do të vijë. Ai ka dëshirat e tij, dhe klubi ka dëshirat e tij për të folur me të. Ai duhet të vijë këtu, të flasë me klubin dhe pastaj do të merret vendimi më i mirë për të gjithë. Nuk mund të ndryshosh lojtarët dhe mentalitetin në një muaj, por mund t’i japësh mundësinë të ndryshosh diçka. Unë duhet të tregohem i zgjuar që të shoh fillimisht situatën fizike e mendore, çfarë mund të bëjmë në këto momente, se për shembull nëse shoh disa lojtarë që nuk janë në maksimum fizikisht, nuk mund të bëjnë progres në këtë muaj. Por jam 100% i sigurt, jo vetëm te Partizani e futbolli shqiptar, ne jemi profesionistë. Dhe nëse mendoni për suksesin, u thashë lojtarëve dje që të harrojnë gratë, baballarët dhe fëmijët dhe të mendojnë për ekipin.” Në lidhje me largimin e trajnerit Colella, Zekiç tha se puna e trajningut kështu e ka, duke thënë se as ai nuk e ka të ardhmen të sigurt. “Shpeshherë jeta nuk është kaq e thjeshtë, unë u largova nga Sherif, ky fitova dy tituj e dy Kupa, luajta e fitova 50 ndeshje në atë periudhë. Po ju them se jeta është në disa raste e thjeshtë e disa herë jo, nuk di të them nëse Colella kishte probleme këtu, por kjo është jeta, kjo është jeta e trajnerit. Para çdo ndeshje, marr gjërat e mia dhe i bëj gati, se ndoshta shkoj në shtëpi.”, përfundoi trajneri Zoran Zekiç.



