
U mbajtën ditën e sotme homazhe për ndarjen nga jeta të komentatorit dhe gazetarit të njohur sportiv, Kosta Grillo. Ky i fundit ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare, pasi ishte infektuar me Covid-19.
Pas disa javëve i shtruar në Turqi, Grillo nuk ia doli të fitojë dot betejën me virusin dhe mëngjesin e së martës u nda nga jeta.
Sot u mbajtën homazhe në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku morën pjesë shumë gazetarë dhe figura të njohura të botës së sportit.
I pranishëm ishte edhe presidenti i FSHF, Armand Duka, i cili në prononcim për mediat, i shprehu ngushëllime për familjarët e të ndjerit, duke e konsideruar ditën e sotme si një ditë zie.
“Është një ditë zie për të gjithë ne, komunitetin e futbollit, për median sportive, për të gjithë ata që e kanë njohur nga afër apo nga ekrani Kosta Grillon, një nga figurat e gazetarisë, por i përfshirë akoma më shumë sesa në dimensionin e një gazetari apo komentatori në botën e futbollit, në marrëdhëniet me gjithë futbollin. Në këtë periudhë kemi humbur shumë nga njerëzit tanë, fatkeqësisht, megjithëse të gjithë miqtë e tij u munduan ta mbajnë Kostën në jetë, por ishte e pamundur. Ai luftoi shumë me këtë virus që ka pllakosur botën, por nuk arriti t’ia dalë. Sot në këtë ditë vërtetë zie, i shpreh ngushëllimet e mia kolegëve, komunitetit sportiv si dhe më shumë familjes që humbën të dashurin e zemrës. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij”, u shpreh Duka.



