
Skuadra e Novara FC, e cila u krijua vitin e kaluar, pas shkrirjes së skuadrës së njohur italiane Novara Calcio, është ngjitur në Serie C, pasi e nisi nga Serie D.
Meritë padyshim për këtë arritje të ekipit të Novarës, ka padyshim edhe sulmuesi shqiptar, Dardan Vuthaj. Ky i fundit ishte autor i 31 golave këtë sezon me Novarën, në 33 ndeshje të zhvilluara.
26-vjeçari nga Miloti, ishte protagonisti absolut dhe një nga më meritorët për ngjitjen e skuadrës së Serie C.
Me golat e tij, Vuthaj i dha vendin e parë në renditje Novarës, që e mbylli në krye të Serie D me 79 pikë, 8 më shumë se ndjekësit e Sanremese.
Vuthaj ka dalë nga akademia e skuadrës së Genoa në Itali, ndërsa ka luajtur edhe me Laçin në Superiore në sezonin 2015-2016, për t’u rikthyer më pas në Itali, ku është aktivizuar me skuadra si Deta PT, Campodarsego, Rimini dhe Imolese.
Sulmuesi është aktivizuar edhe me Shqipërinë U-19 tre ndeshje në vitin 2012.



