
Ditën e sotme, skuadrat shqiptare, Laçi, Tirana dhe Vllaznia, do të luajnë ndeshjet e tyre të kthimit në turin e dytë në Conference League.
Në lidhje me këtë, në edicionin e lajmeve në MCN TV, ka folur gazetari i sportit, Edi Hajdini. Ky i fundit u shpreh se dita e sotme, do të jetë prova e së vërtetës për futbollin shqiptar, për të parë nëse kemi bërë progres në krahasim me të kaluarën, apo kemi bërë hapa pas.
Hajdini u shpreh se shpresat për një kualifikim të Tiranës janë të mëdha, pavarësisht humbjes 0-1 në ndeshjen e parë ndaj boshnjakëve të Zrinjski.
Dita e sotme, është prova e së vërtetës për futbollin shqiptar. Këtu do të matet nëse skuadrat kanë bërë progres, apo kemi bërë hapa pas. Pritshmëritë për Tiranën ishin të mëdha, por me atë që kanë treguar, nuk kanë qenë në formën e duhur. Për ndeshjen e sotme, Tirana ka qëndruar larg atmosferës mediatike. Shpresat janë të mëdha për një rezultat pozitiv për Tiranën. Nëse bardheblutë ia dalin të kalojnë në avantazh në pjesën e parë, do kenë mundësi për tu kualifikuar më tej.
Flitet shumë që në rast të një eliminimi, do ketë largim të disa lojtarëve. Kjo është prova e së vërtetës për Tiranën, për të treguar se është me të vërtetë kampione.
Në lidhje me Vllaznisë, Hajdini deklaroi se do të ketë ndryshime në formacion nga ndeshja e parë, ku shkodranët barazuan 1-1 me rumunët e Craiova. Këta të fundit, sipas Hajdinit janë në presion dhe nga kjo mund të përfitojë skuadra e Josës, për të bërë surprizën, që është kualifikimi për më tej.
Vllaznia do të hapë rrugëtimin sot, ndaj rumunëve të Universitatea Craiova. Këta të fundit janë më cilësorë dhe kanë kualitete më të mëdha. Shkodranët kanë shumë entuziazëm pas barazimit në ndeshjen e parë. Josa është një trajner ekspert për kupat e Europës, ka bërë historinë me Skënderbeun. Në formacion, priten nga minuta e parë, Herald Marku dhe Ardit Hoxhaj. Aralica zhgënjeu në ndeshjen e parë dhe gjasat janë që të ulet në stol, për t’i lënë vendin Kaina. Presioni më i madh është te Craiova dhe Vllaznia ka mundësi për t’u kualifikuar dhe për të bërë surprizën.
Ai deklaroi gjithashtu se Laçi është skuadra më favorite nga shqiptaret për tu kualifikuar më tej, për shkak të barazimit pa gola në ndeshjen e parë me moldavët e Petrocub, ku kurbinasit luajtën për më shumë se 1 orë me 10 lojtarë.
Laçi është nga më favoritët për skuadrat shqiptare, për të kaluar në turin e tretë. Kanë një nga mbrojtjet më të mirë, pasi nuk kanë pësuar asnjë gol në Europë deri tani. Janë një skuadër kompetivtive dhe janë shumë pranë kualifikimit. Një gol i shpejtë nga skuadra e Duros, do të bënte që të ishte më e lehtë për Laçin. Shorti është treguar bujar me Laçin në këto kualifikuese.



