Është mbyllur në barazim 1-1, sfida mes Tiranës dhe Egnatias e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiore. Ndeshja e zhvilluar në “Selman Stërmasi” ishte me të vërtetë spektakolare, teksa i kishte të gjitha brenda.
VAR ishte sërish protagonist, teksa anuloi një gol të bardhebluve, të shënuar nga Taulant Seferi në minutën e 63-të, për pozicion jashtë loje.
Ishte pikërisht Seferi, ai që hapi serinë e golave, teksa në minutën e 51, me një gjuajtje nga jashtë zone, realizoi një supergol.
Festa e kryeqytetasve zgjati vetëm 6 minuta, pasi në minutën e 57-të, Demir Imeri vendosi baraspeshën, duke shënuar për rrogozhinasit.
Në fund të takimit, Tirana pretendoi për penallti, pas një rrëzimi të Ngo në zonë, por nuk ishte i këtij mendimi gjyqtari, teksa nuk ndërhyri as VAR-i.
Egnatia merr pikën e parë në këtë kampionat, ndërsa Tirana shkon në kuotën e 4 pikëve.
Vlen të theksohet se kjo është sfida e katërt për këtë javë e cila mbyllet në barazim 1-1.



