
Trajneri i Shqipërisë, Edoardo Reja ka dalë në konferencë për shtyp, ku ka folur në prag të dy ndeshjeve miqësore, që kuqezinjtë do luajnë ndaj Uellsit më 5 qershor dhe ndaj Çekisë më 8 qershor. Në fjalët e tij, Reja ka thënë se te Shqipëria nuk duhet të konsiderohet asnjë ndeshje si miqësore, duke shtuar se çdo sfidë është e rëndësishme. Gjithashtu italiani sqaroi edhe mungesat, duke shtuar se sulmuesi Florian Kamberi ka marrë një telefonatë për t’u grumbulluar, por nuk është përgjigjur dhe nuk ka kthyer përgjigje.
“Kemi disa probleme për sa i përket pjesës së portierëve. Berisha dhe Strakosha kanë pasur problem fizike. Do flasim edhe me stafin mjekësor kur të gjithë lojtarët të jenë këtu, për t’i parë nga afër. Për sa i përket Kamberit kemi folur me përfaqësuesin e tij, nga i cili nuk i kemi marrë një përgjigje, si duket nuk është entuziast. Do e ndjekim në vazhdimësi atë, nuk mund të themi se është mbyllur këtu. Ne e donim në skuadër, ose nuk është mirë ose ka probleme në kokën e tij. Në ndeshjet fundit e kam ndjekur dhe nuk është si më parë. Ne jemi gati të ulemi dhe të diskutojmë me të për të ardhmen. Edhe ne jemi gati të rishikojmë pozicionin tonë.
Në ndeshjet e Ligës së Kombeve kemi bërë shumë eksperimente, lista është e madhe, e cila sa vjen dhe bëhet më e shkurtër. Për Bajramin do flasim në vijim. Dëshira e tij është e madhe për të ardhur këtu. Është nga më të mirët në Serie B. Ka aftësi të mira për të dribluar. I kalon lehtë kundërshtarët. Do ishte ideal për ekipin tonë. Dëshira është e madhe që të zgjidhet gjithçka dhe besoj se do jetë një fund i lumtur. Janë teste shumë të rëndësishme, për mua janë dy prova shumë të rëndësishme. Na duhet mentaliteti i duhur për të luajtur këto ndeshje. Në Kombëtare nuk ekziston termi miqësore. Lojtarët që do të vijnë duhet të japin maksimumin. Do na vlejnë shumë për ndeshjet e shtatorit.”, u shpreh Reja.
Trajneri i Kombëtares zbuloi ditën e sotme listën me lojtarët e ftuar për dy ndeshjet miqësore, ku nuk mungojnë rikthimet, siç është rasti i Balajt, Trashit dhe Çekiçit.



