
Kalimi i Leo Messit te PSG ishte i pabesueshëm për shumë tifozë të klubit francez, deri në momentin që ai u zyrtarizua. Një nga ata që nuk e besonte këtë lëvizje të yllit argjentinas, ishte edhe “YouTuberi” i njohur francez, Boume Sama.
Ky i fundit gjatë kohës kur po qarkullonin lajme mbi një kalim te mundshëm të Messit te PSG, bëri një premtim për ndjekësit e tij të shumtë. I njohur si një tifoz i PSG, Boume Sama tha se në rast se Messi do të firmoste me skuadrën e tij të zemrës, atëherë ai do të udhëtonte nga Marseja në Paris në këmbë dhe kështu ndodhi.
Javën e kaluar, tifozi nisi udhëtimin e tij në këmbë dhe pas shumë sakrificave më në fund të mërkurën mbërriti në Paris në stadiumin “Parc des Prince”.
“Ishte gjëja më e vështirë që kam bërë në jetën time”, tha Sama pasi mbërriti në destinacion. Tifozi është falënderuar edhe nga klubi parisien, për udhëtimin e bërë, teksa klubi ka postuar një foto të Boume në hyrje të stadiumit me fanellën e Messit.



