
Lista e Kombëtares U-21 ka pësuar ndryshime. Mbrojtësi Ermis Selimaj, do të mungojë për shkak të një dëmtimi dhe e ka të pamundur të jetë pjesë e skuadrës kuqezi në dy transfertat ndaj Rumanisë dhe Malit të Zi. Trajneri Bushi ka vendosur të ftojë lojtarin e Laçit, Agan Mjakin.
Kuqezinjtë nisën grumbullimin këtë të diel në kuadër të ndeshjeve kualifikuese të Kampionatit Europian 2025 për këtë grupmoshë ndaj Rumanisë U-21 (17 nëntor) dhe Malit të Zi U-21 (21 nëntor), të dyja në transfertë.
Shqipëria U-21 ndodhet në Grupin E bashkë me Rumaninë, Zvicrën, Finlandën, Malin e Zi dhe Armeninë, teksa renditet në vendin e parë pas tre fitoreve ndaj Rumanisë U-21, Malit të Zi U-21 dhe Armenisë U-21. Kuqezinjtë kanë pësuar vetëm një disfatë ndaj Finlandës U-21.



